12 Korrik 2014, KONFERENCA ZGJEDHORE E BSP MAT

Print

Në zbatim të programit të fushatës zgjedhore, në kuadrin e Kongresit të VI të BSPSH-së, më datën 12 Korrik 2014, u mblodh Konferenca Zgjedhore e BSPSH-së Mat, me pjesëmarrjen e 45 delegatëve që përfaqësojnë 11 seksione profesionale të rrethit, me një anëtarësi prej 2974 anëtarësh. Raportin në emër të Këshillit Sindikal të rrethit Mat, mbi aktivitetin 5 - vjeçar të organizatës sindikale të rrethit të Matit, e mbajti zoti Xhemal Kurti, i cili i njohu pjesëmarrësit me problemet më të rëndësishme që ka ndjekur Këshilli Sindikal i Rrethit, si ajo e njohjes me kërkesat dhe objektivat e Paktit të Mirëkuptimit Social, me Qeverinë në shkurt të 2011, ku çështjet e rritjes së pagave, të pensioneve,  të ruajtjes si çmimit aktual të energjisë elektrike, shënuan rezultate të mira, që erdhën si rezultat i luftës sindikaliste të BSPSH-së dhe dialogut social të ekuilibruar të sindikatës me qeverinë e asaj periudhe.

Nëpërmjet raportit pjesëmarrësit e konferencës u njohën me marrëdhëniet e mira të këshillave sindikale të ndërmarrjeve me punëdhënësit si dhe zyrat rajonale të punës ku si rezultat i këtij bashkëpunimit, në rrethin e Matit janë lidhur  31 kontrata kolektive më shumë se në të gjithë rrethet e tjera, përveç Tiranës. Në drejtim të lidhjes së kontratave kolektive u pasqyrua puna e mire, e lavdërueshme e seksionit të minierave, e cila me ndihmën e përhershmë të forumeve drejtuese të SPMSH-së ka rritur ndjeshëm numrin e anëtarësisë sindikale si dhe numrin e kontratave kolektive me sipërmarrjet e sektorit të minierave. Rreth raportit të Këshillit Sindikal u bënë pyetje dhe diskutime nga delegatët, të cilët midis të tjerave, kërkuan një impenjim më të madh të strukturave drejtuese të rrethit dhe të federatave, sidomos në mbrojtjen e anëtarëve ndaj largimeve të padrejta nga puna, siç ishte rasti i Kryetarit të Sindikatës së ndërmarrjes së Ujësjellësit. Mbas diskutimeve të delegatëve, fjalën përshëndetëse në emër të BSPSH-së, e mbajti presidenti i saj zoti Gëzim Kalaja, i cili në fjalën e tij theksoi çështjet e realizimit të objektivave të Kongresit të V të BSPSH-së, në përgjithësi dhe të Kongresit të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, në veçanti, në drejtimet politike, organizative dhe social-ekonomike. Gjithashtu në fjalën e tij, zoti Kalaja, theksoi se realizimi i kërkesave për përmirësimin e kushteve të punës, të miratimit të akteve nënligjore, që kanë të bëjnë me sigurimin teknik dhe shëndetin në punë, ato të ngritjes së pagave në çdo proces punë në përgjithësi dhe të pagave të punës në sektorin e minierave, në veçanti, sipas nënshkrimit të kontratave kolektive do të jenë objektiva dhe detyra konkrete në programin e organizatës tonë sindikale. Në fund të përshëndetjes  se tij zoti Kalaja, i njohu delegatët edhe me politikat e qeverisë për reformën e pensioneve, me vërejtjet e sygjerimet e BSPSH-së, sidomos me ato të mospranimit të ngritjes së moshës së daljes në pension për gratë mbi 63 vjeç dhe për burrat mbi 65 vjeç si dhe me kërkesat për ndryshimin e formulës së llogaritjes së pensionit në mënyrë të atillë që të mbroheshin të drejtat e fituara të pagave të pensioneve nga ligjet ekzistuese. Duke përfituar nga pjesëmarrja e shumë delegatëve nga sektori i minierave në veçanti, ai vlerësoi qëndrimin e qeverisë ndaj kërkesës së vazhdueshme të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, që për punonjësit e nëntokës tu ulet mosha e daljes në pension nga 60 në 55 vjeç. Në fund Konferenca zgjedhore vazhdoi me procedurat e votimit për drejtuesin e ri të Këshillit Sindikal dhe të deklarimit të votave me mandate përfaqësimi për kandidatët për President të BSPSH-së. Komisioni i votimit, mbas verifikimit të votave shpalli votat e marra nga deklaratat me mandat përfaqësimi për kandidatin për president të BSPSH-së si dhe drejtuesin e ri të Këshillit Sindikal të rrethit zotin Xhemal Kurti.

burrel-foto-S burrel-foti-1-S burrel-foto-2-S