Në kuadrin e zbatimit të programit të fushatës zgjedhore për Kongresin e 6të të BSPSH-së në Voskopojë , më datën 21 qershor 2014 u mblodh Konferenca e 6të e BSPSH –së qarkut Korçë me pjesëmarrjen e 40 delegatëve përfaqësues të 12 seksioneve profesionale të BSPSH Korçë si : arsimit, shëndetësisë , ndërtimit, minierave, fasonet, telekomit , artit , transportit , ushqimit-bujqësisë , OST , komunat dhe pensionistët.
Në Konferencën zgjedhore të BSPSH Korçë mori pjesë dhe i deleguari i Këshillit Kombëtar të BSPSH-së Presidenti i saj z. Gëzim Kalaja , si dhe monitoruesi i konferencave zgjedhore Sekretari Organizativ z. Koço Jani.
Në emër të Këshillit Sindikal të BSPSH Korçë raportin e paraqiti znj. Albina Peppo , Kryetare e Këshillit Sindikal të Rrethit e cila nëpërmjet këtij raporti u bëri të njohur të gjithë delegatëve aktivitetin dhe veprimtarinë 5 vjeçare të strukturave sindikale të qarkut Korçë .
Në raport u theksua dhe vlerësua puna e mirë e këshillave të seksionve profesionale për ristrukturimin e strukturave sindikale , si ato të rrethit , seksioneve dhe këshillave sindikale të ndërmarrjes me element të ri dhe aktivist të cilët ndikuan në gjallërimin e aktiviteteve dhe veprimtarive sindikale në fushën e të drejtave dhe mbrojtjes social-ekonomike të punonjësve dhe ngritjen e strukturave të reja sindikale në rrethin e Pogradecit, Devollit , Kolonjës .
Si rezultat i kësaj pune këmbëngulëse të këshillit sindikal të rrethit dhe në veçanti të Kryetares të BSPSH-së Korçë znj. Albina Peppo u arrit që në fillim të vitit 2014 të nënshkrueshin 31 kontrata kolektive, numër ky që tregon marrëdhënie të mira bashkëpunimi e partneriteti me punëdhënësit e qarkut të Korçës .
Nëpërmjet raportit u pohua puna e mirë bashkëpunuese me zyrat e punës, inspektoriatin shtetëror në luftën e përbashkët kundër informalitetit sidomos në sektorët e ndërmarrjeve të fasoneve ku disa punëdhënës nuk shlyenin detyrimet e sigurimeve shoqërore për punonjësit e tyre .
Gjithashtu, Kryetarja e Rrethit raportoi dhe mbi veprimtarinë e sindikatës së transportit 8+1 të cilët me protestat e zhvilluara në tremujorin e parë të vitit 2014 në qarkun e Korçës dhe në Tiranë detyruan Ministrinë e Transporteve të lejonte veprimtarinë qarkulluese të automjeteve 8+1 deri në fund të vitit 2014 ose protestat e njëpasnjeshme të punonjësve të ndërmarrjes pyjore ku drejtuesit e ndërmarrjes shtetërore pushuan nga puna ¾ e punonjësve me arsim përkatës profesional për t’i zëvendësuar ata me militantë politikë .
Rreth raportit në Konferencë diskutuan mjaft delegatë , përfaqësues të seksioneve profesionale si ato të arsimit, transportit , të bujqësisë dhe ushqimit social të cilët shtruan problemet e forcimit të bashkëpunimit me federatat, zbatimin e kontratave kolektive , si dhe vlerësuan ndihmën e dhënë nga BSPSH për mbrojtjen juridike të punonjësve të pushuar nga puna dhe në veçanti Drejtoren e Departamentit Juridik znj. Arjola Alika .
Në konferencë e mori fjalën dhe President i BSPSH-së z. Gëzim Kalaja i cili mbasi vlerësoi arritjet e objektivave të ngarkuara të BSPSH-së të qarkut Korçë , theksoi rëndësinë e vlersimit të vendimeve të forumeve qëndrore të BSPSH-së , të ndryshimeve të reja në Statutin e saj sidomos në përsosjen e proceseve demokratizuese të procedurave dhe të organizimit sindikalist , si dhe çështje të mbrojtjes të interesave social-ekonomike sidomos ndaj programit shtrëngues të qeverisë të kohëve të fundit, që prekin çështjen e pagave, rritjen e taksave dhe tatimeve .
Një rëndësi të veçantë në fjalën e tij , Presidenti i kushtoi problemeve në ndërmarrjet fasoniste ndaj masave jo sociale qa kanë marrë punëdhënësit në bashkëpunim me qeverinë , si ajo e uljes së pagës minimale ose e mosplotësimit të kushteve të punës dhe mbrojtjes shoqërore siç janë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore .
Presidenti i BSPSH-së ju bëri të njohur delegatëve të Konferencës disa element të politikës sociale në fushën e pensioneve ku BSPSH i ka paraqitur projekt-draftit të qeverisë , vërejtjet e saj. Në fund të fjalës Presidenti vlerësoi zhvillimin e punimeve të Konferencës me nivel të lartë , si dhe përgëzoi punën shumë të mirë të drejtuesve të Këshillit Sindikal të rrethit Korçë dhe në veçanti të Kryetares të saj znj. Albina Peppo. Zoti Kalaja i propozoi delegatëve si kandidate për Kryetare të BSPSH-së qarkut Korçë për periudhën e ardhshme 5 vjeçare znj. Albina Peppo.
Në fund Konferenca zgjedhore kaloi në proçedurat e votimit nën monitorimin e Sekretariatit të Organizimit të BSPSH-së , ku me shumicë votash kandidatja znj. Albina Peppa u zgjodh Kryetare e BSPSH-së Korçë.
Në fjalën përshëndetëse znj. Peppo falenderoi për besimin forumet qëndrore të BSPSH-së , delegatët e Konferencës dhe në kuadrin e detyrave dhe programit për 5 vjeçarin e ardhshëm i kërkoi konferencës miratimin e Rezolutës për drejtimet si mëposhtë vijon :
1- Vazhdimësinë e dialogut social me pushtetin vendor dhe zyrat e punës
2- Bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe forcimin e mëtëjshëm të dialogut social me punëdhënësit në qarkun e Korçës .
3- Rritjen e numrit të anëtarësisë sindikale e konkretizuar me rritjen e numrit të kontratave kolektive .
4- Trajnim dhe formim sindikalist të të zgjedhurve në strukturat sindikale të ndërmarrjes nëpërmjet bashkëpunimit me departmentin e edukimit të BSPSH-së dhe mundësive reale të Këshillit Sindikal të rrethit Korçë .
5- Bashkëpunim dhe përmirësim të punës koordinuese të seksioneve sindikale të profesioneve me drejtuesit e federatave për zgjidhjen sa më mirë të problemeve ekonomike- sociale të punonjësve .